Kosova – Një Profil i Shkurtër
E vendosur në Evropën Juglindore, Kosova është shteti më i ri i Evropës, që shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Me një sipërfaqe prej 10,900 km2, Kosova ka një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, nga të cilët 38% janë nën moshën 19 vjeçare (Banka Botër ore, 2015).
Lufta në Kosovë la ekonominë e vendit në gjendje të rëndë. Vitet pas luftës e gjetën udhëheqjen politike të Kosovës duke krijuar strukturë të qëndrueshme politike dhe duke u përgatitur për shpalljen e Pavarësisë. Prej asaj kohe, zhvillimi ekonomik është bërë një nga prioritetet kryesore.
Për Kosovën, një nga treguesit kryesorë të zhvillimit ekonomik është bujqësia. Sipas një studimi të realizuar nga Arcotrass GmbH dhe të financuar nga Komisioni Evropian (2005), bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuar me rreth 25% të PBB-së. Po sipas së njëjtës burim, ushqimi zë pjesën më të madhe të shpenzimeve të familjeve, ndërsa 50% e prodhimit bujqësor konsumohet brenda familjes.
Të dhënat nga MAFRD (2005), Anketa e Bujqësisë së Amvisërë (2005), Shër bimi Doganor i UNMIK (2005), dhe Anketa e Tregut të Punës (2003/2004), tregojnë se bujqësia ka potencial për rritje ekonomike dhe krijim vendesh të reja pune. Nga gjithsej 858,063 ha tokë, 369,269 ha ose 43% janë tokë bujqësore. Gjithashtu, 49% e fuqisë punëtore merret me aktivitete bujqësore.
Klima relativisht e favorshme dhe forca punëtore bujqësore i japin Kosovës avantazh konkurrues në prodhimin e produkteve qumështore dhe atyre hortikulturale me vlerë të lartë (Banka Botër ore, 2015). Por, sasia e tokës bujqësore për person në Kosovë është dukshëm më e vogël se në BE (0.15 – 0.18 ha).
Nga popullsia totale e Kosovës, rreth 1.2 milionë janë në moshë pune (ASK, 2015). Por, vetëm 500,251 janë aktivë, ndërsa 702,238 janë inaktivë. Nga të punëkërkuarit, 35.3% janë të papunë, ndërsa 64.7% janë të punësuar, me normë të përgjithshme punësimi prej 26.9%. Në grupmoshën 15-24 vjeç, papunësia është 61%. Këto statistika tregojnë potencial të lartë pune nëse burimet njerëzore menaxhohen siç duhet.
Dogana për mallrat importuese është 0% nga Serbia dhe Mali i Zi, 1% nga Maqedonia dhe Shqipëria (sipas Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë), dhe 10% nga të gjitha vendet tjera, përshirë BE-në. Për mallrat e eksportuara, Kosova i nënshtrohet tarifave nga të gjitha vendet, përveç atyre të cilat ka Marrëveshje të Tregtisë së Lirë.
Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës?
Ekonomia mbetet një nga sfidat më të mëdha për t’u adresuar. Një ambient i favorshëm për biznes është katalizatori kryesor për zgjidhjen e shumë problemeve socio-ekonomike që përjeton vendi ynë i ri. Krahas përmirësimit të profilit të punës dhe standardeve të disa korporatave ekzistuese dhe kompanive të reja përmes menaxhimit strategjik, dy problemet kryesore që kërkojnë vëmendje të veçantë janë: tregu i shtrembëruar i kapitalit dhe ekonomia informale.
Mungesa e bizneseve prodhuese në Kosovë ka krijuar një situatë të pafavorshme në tregun e brendshëm: eksport i ulët – import i lartë, mungesë të qarkullimit të parasë, kursim i ulët i të ardhurave, dhe shkallë të lartë të papunësisë – duke çuar kështu në një treg të shtrembëruar kapitali. Pse nuk kemi më shumë biznese prodhuese? Arsyeja e parë është niveli i ulët i të ardhurave që sjell mungesë të kursimeve. Pjesa më e madhe e të ardhurave nga pagat, nëse jo e gjitha, shkon për shpenzime ditore. Pjesa më e madhe e shpenzimeve për banim, transport dhe ushqim përfshin edhe çmimet e larta të mallrave të importuara në tregun tonë, të cilat janë më të shtrenjta se në vendet fqinje. Arsyeja e dytë është mungesa e kredive për biznese prodhuese nga bankat komerciale. Për shkak të rrezikut më të ulët, shumica e kredive jepen për biznese tregtare, të cilat nuk kanë ndikim të madh në rritjen ekonomike të Kosovës.
Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet fuqishëm në zhvillimin e sektorit bujqësor për të përfituar nga avantazhi konkurrues në produktet qumështore dhe hortikulturale. Hapi më i rëndësishëm është eliminimi i aktiviteteve informale në këtë sektor, si dhe në sektorët e tjerë. Ekonomia informale krijon një treg të shtrembëruar dhe konkurrencë të padrejtë. Edhe pse këto aktivitete ekzistojnë në të gjitha shtetet, në ekonomitë në tranzicion si Kosova, ato janë më të theksuara. Aktivitetet informale variojnë nga bizneset e vogla të paregjistruara e deri te firmat e mëdha që shmangin detyrimet tatimore përmes moslëshimit të kontratave zyrtare për punëtorët.
Për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë të duhur, duhet së pari – të përcaktohet se cilat janë shkaqet e aktivitetit informal, së dyti – të kuptohet kostoja ekonomike që kjo shkakton, sidomos për ndërmarrësit, dhe së treti – të hartohen strategji për eliminimin e saj. Këto arsye ndryshojnë nga një shtet në tjetrin, varësisht nga kohëzgjatja e regjimeve të mëparshme dhe tranzicioni ideologjik që ka përjetuar vendi.
Edhe pse nuk ka politika standarde për eliminimin e ekonomisë informale, çdo vend në zhvillim, përfshirë edhe Kosovën, duhet të studiojë praktikat e vendeve me kushte të ngjashme dhe të përshtatë politika për situatën specifike. Qeveria duhet të fokusohet sidomos në ndërmarrjet e vogla në sektorin bujqësor që punësojnë punëtorë pa kontrata të deklaruara. Për ta arritur këtë, qeveria duhet të unifikojë mbledhjen e TVSH-së dhe kontributeve sociale për të gjitha bizneset e vogla në bujqësi, tregti, shërbime dhe prodhim, duke siguruar që kontributet e punëtorëve të jenë proporcionale me fitimin e biznesit. Kjo do të eliminonte çdo motiv për të funksionuar në mënyrë informale.
Hapi i dytë më i rëndësishëm është përqendrimi i qeverisë në përmirësimin e teknologjisë në sektorin e bujqësisë. Përdorimi i teknologjive të avancuara do t’u mundësonte fermerëve një shfrytëzim më të mirë të burimeve dhe rritje të prodhimit. Kështu, përveç plotësimit të kërkesave të tregut të brendshëm, ata do të mund të eksportonin sasi më të mëdha edhe në vendet e Ballkanit.
Bashkimi Evropian dhe Tregtia Ndërkombëtare
Duke e konsideruar tregtinë ndërkombëtare si një nga shtyllat kryesore për rritje ekonomike, Bashkimi Evropian ka arritur të pozicionohet fuqishëm në tregtinë globale. Kjo është arritur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, të cilat veprojnë me një zë të përbashkët në skenën globale dhe zbatojnë politika tregtare të harmonizuara ndërmjet tyre dhe me vendet jashtë BE-së.
Si një nga motorët më të fuqishëm për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, vendet evropiane i kanë kushtuar rëndësi të veçantë tregtisë ndërkombëtare. Për këtë arsye, çdo shtet anëtar i BE-së përjashtohet nga tarifat doganore kur bën tregti me shtete të tjera anëtare, duke e kthyer Evropën në një treg të përbashkët gjigant.
Ekziston një politikë e përbashkët për tregti dhe investime ndërkombëtare, të cilën të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë zotuar ta ndjekin. Këto politika u mundësojnë shteteve anëtare që të veprojnë në mënyrë të bashkërenduar në negociatat tregtare, duke maksimizuar kështu ndikimin e tyre (Komisioni Evropian, 2015). Po ashtu, këto shtete përfaqësohen nga Komisioni në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Në vitin 2013, BE-ja filloi negociatat për marrëveshje tregtare të lira me dy partnerët kryesorë – SHBA-në dhe Japoninë – me qëllim jo vetëm heqjen e tarifave dhe hapjen e tregjeve për investime, por edhe për shërbime dhe prokurime publike (Komisioni Evropian, 2015).
Të gjitha këto veprime e kanë bërë tregun e BE-së ekonominë më të madhe në botë me një PBB prej €13,920,541 milionë (Bashkimi Evropian, 2011). Edhe pse shtetet anëtare të BE-së përbëjnë vetëm 7% të popullsisë botërore, BE-ja është përgjegjëse për 20% të importeve dhe eksporteve globale. BE përfaqëson 16.4% të importeve botërore dhe 15.4% të eksporteve globale. Më e rëndësishmja, të gjitha shtetet anëtare përfitojnë nga kjo ndërmarrje e përbashkët e mundësuar nga BE në tregun ndërkombëtar.
Çfarë përfitimesh do të kishte Kosova nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian?
Ekzistojnë tri përfitime kryesore që Kosova do të kishte nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian:
- Kosova bëhet pjesë e ekonomisë më të madhe në botë. Ajo do të bëhej një treg i hapur dhe do të orientohej drejt përmbushjes së kushteve ekonomike që rrjedhin nga presioni i ekonomive më të vjetra dhe me përvojë. Për më tepër, duke pasur një avantazh krahasues në prodhimin e produkteve të qumështit dhe atyre hortikulturale me vlerë të lartë, Kosova do të mund të eksportonte këto produkte pa kosto eksporti në çdo shtet anëtar të BE-së që ka nevojë për to.
- Marrëdhëniet tregtare: Anëtarësimi në BE i mundëson Kosovës të lehtësojë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve përtej kufijve, duke ulur kështu joefikasitetin neto.
- Stabiliteti politik: Një nga kushtet themelore për t’u anëtarësuar në BE është që shteti aplikues të sigurojë institucione demokratike stabile dhe të drejtat e njeriut, përfshirë sundimin e ligjit dhe respektimin e pakicave.
Pse duhet Kosova të jetë e hapur ndaj Tregtisë Ndërkombëtare?
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces që nuk mund të arrihet brenda natës, pasi është i gjatë dhe kompleks. Megjithatë, Kosova nuk duhet të presë derisa të bëhet anëtare e BE-së për të ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt hapjes së tregut ndaj tregtisë ndërkombëtare.
Ulja e tarifave për importin zakonisht çon në standarde më të larta jetese dhe rritje ekonomike, siç dëshmohet nga prosperiteti i vendeve me tarifa të ulëta. Për më tepër, një veprim i tillë i jep mundësi vendeve që të bëjnë ekonomitë e tyre më konkurruese dhe efikase, sidomos në afatgjatë. Megjithatë, tarifat më të ulëta sjellin pashmangshëm edhe humbës dhe fitues – kjo vlen si për vendet në zhvillim, ashtu edhe për ato të zhvilluara.
Edhe pse përfitimet afatgjata nga ulja e tarifave janë të mëdha, kostot afatshkurtra të përshtatjes mund të jenë të larta nëse nuk ka mbrojtje të duhur, sidomos nëse vendi është në fazat fillestare të ekzistencës së tij. Megjithatë, një qeveri që mbështetet tërësisht në të ardhurat nga tarifat doganore mund të përballet me paqëndrueshmëri makroekonomike. Prandaj, qeveritë – sidomos ato të vendeve në zhvillim – duhet të hartojnë politika që ofrojnë përfitime si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë.
Kur Kryeministri Trudeau u pyet “pse vendosi që kabineti i tij të jetë gjysmë femra”, ai u përgjigj: “Sepse është viti 2015”. E gjej këtë përgjigje të shkurtër shumë interesante dhe të qëlluar. Dhe, nëse dikush do të më pyeste sot pse vendet në zhvillim kanë nevojë për tregje të hapura dhe më shumë marrëveshje tregtare, do të thosha: “Sepse është viti 2016”. Në ditët e sotme, tregtia nënkupton bashkëpunim, zhvillim dhe integrim. Vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara duhet të reformojnë vazhdimisht politikat e tyre tregtare për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin shoqëror. Edhe vende të reja dhe të vogla si Kosova, tetë vjet pas pavarësimit, duhet të zbatojnë politika tregtare që rrisin bashkëpunimin me vende të tjera dhe hapin dyert për eksporte dhe importe të lira.
Ekzistojnë gjashtë argumente themelore pse Kosova duhet të hapë dyert për Tregtinë Ndërkombëtare:
Argumenti 1: Së pari, tregjet e hapura dhe marrëveshjet tregtare do të ndihmonin ekonominë e Kosovës të rritet më shpejt, dhe çdo masë proteksioniste mund ta çojë këtë vend drejt stagnimit. Pse?! Sipas të dhënave të Bankës Botërore, popullsia e Kosovës është 1.83 milionë. Nga pikëpamja ekonomike, tregu konsumator brenda vendit është shumë i vogël. Nga pikëpamja tregtare, kuptojmë se me një treg të hapur Kosova nuk mund të importojë shumë. Por, marrëveshjet tregtare me vendet tjera nënkuptojnë që Kosova mund të eksportojë aq sa ka potencial, për aq kohë sa ka avantazh krahasues në një industri të caktuar. Për ta thjeshtuar: tregtia është mundësia për të importuar produktet më të kërkuara dhe më inovative (veçanërisht ato teknologjike) dhe për të eksportuar ato produkte që kompanitë vendore i prodhojnë më efikas.
Disa statistika të thjeshta tregojnë pse tregtia duhet të ndihmojë Kosovën. Ky vend i vogël ndodhet në Evropë, në një rajon ku ndodhen katër nga tetë ekonomitë e G8 (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe). Mundësitë për të bërë tregti me këto vende të mëdha janë shumë të larta. Gjithashtu, Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, që është tregues shumë premtues për zhvillim. Sipas World Factbook, 43.6% e popullsisë së Kosovës është nën moshën 24 vjeç.
Argumenti 2: Si vend demokratik, synimi afatgjatë i Kosovës është integrimi evropian. Që nga viti 2008, ajo ka punuar vazhdimisht për përmbushjen e kritereve ligjore, politike dhe ekonomike të BE-së. Kriteri kryesor ekonomik është vendosja e një pakete politike që garanton treg të hapur – përfshirë lirinë tregtare, lirinë e investimeve dhe lirinë financiare. Prandaj, për t’u anëtarësuar në BE, Kosova duhet të zbatojë politika që i plotësojnë këto kritere.
Argumenti 3: Investimet e huaja direkte kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të një vendi. Liria tregtare tërheq investitorët ndërkombëtarë dhe u ofron atyre mundësi të investojnë atje ku prodhimi është më i lirë dhe më efikas. Në rastin e Kosovës, duke pasur parasysh përqindjen e lartë të tokës bujqësore, sistemin demokratik, popullsinë e re, fuqinë punëtore të lirë dhe normën e ulët të TVSH-së – këta janë tregues premtues për investitorët ndërkombëtarë. Investimet e huaja rrisin prodhimin, eksportin, PBB-në dhe buxhetin dhe ulin papunësinë dhe varfërinë.
Argumenti 4: Siç pohon edhe Komisioni Evropian, tregtia nxit inovacionin. Ajo e bën këtë duke lehtësuar shkëmbimin e dijes, teknologjisë dhe investimeve në kërkim dhe zhvillim – përfshirë përmes investimeve të huaja. Tregu i hapur nënkupton “një treg të vetëm”. Sipërmarrësit identifikojnë shërbimet apo produktet që kërkohen më shumë dhe përmes teknologjisë ose bashkëpunimit me qendra kërkimore zhvillojnë produkte dhe shërbime inovative.
Argumenti 5: Konsumatorët në vendet në zhvillim përfitojnë shumë nga tregtia. Së pari, u ofrohet shumëllojshmëri produktesh. Së dyti, tregtia nxit konkurrencën, dhe konkurrenca sjell çmime më të ulëta. Pra, konsumatorët përfitojnë çmime më të favorshme dhe cilësi më të mirë.
Argumenti 6: Tregtia forcon marrëdhëniet ndërmjet vendeve. Ajo afron njerëzit përmes shkëmbimeve paqësore dhe të dobishme. Si pasojë, kontribuon në paqe dhe stabilitet. Bashkëpunimi tregtar me një vend e rrit interesin politik dhe social për të dhe shpesh shtetet ndihmojnë njëra-tjetrën edhe në politikën ndërkombëtare. Tregtia dhe politika i afron edhe qytetarët e këtyre vendeve.
Përfundim: Të gjithë këta janë tregues se pse Kosova duhet të hapet ndaj tregtisë ndërkombëtare. Megjithatë, një gjë duhet kuptuar qartë: vetëm tregtia nuk garanton zhvillim ekonomik. Politikat tregtare duhet të jenë të integruara me politikat në fusha të tjera në mënyrë që kostot e uljes së tarifave të kompensohen nga investimet e huaja direkte. Po ashtu, duhet të ndërmerren reforma në tregun e punës për të lehtësuar kalimin e fuqisë punëtore nga sektorët në rënie në ata në rritje, duke ndihmuar punëtorët të përballen me ndryshimet përmes arsimit të duhur.
Sipas Anthony Kleitz nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (2008), hapat e rekomanduar për qeveritë për të përballuar përshtatjen strukturore përfshijnë: hartimin e politikave makroekonomike që nxisin rritjen dhe stabilitetin ekonomik; ndjekjen e politikave të fuqisë punëtore që zhvillojnë aftësitë njerëzore; krijimin e një ambienti konkurrues të ndershëm që stimulon hyrjen e bizneseve të reja; dhe krijimin e një kuadri mbështetës dhe hartimin e politikave të liberalizuara për investime dhe tregti.
Këto janë hapa që qeveria e Kosovës mund t’i ndjekë për të ulur barrën e hartimit të politikave afatgjata me përfitim, duke mos përjashtuar edhe politikat afatshkurtra.
Referencat
- (2006, December). Kosovo: Report – Study on the State of Agriculture in Five Applicant Countries. Retrieved April 21, 2016, from http://ec.europa.eu/agriculture/external-studies/2006/applicant/kosovo_en.pdf
- (2016). The World Factbook: Kosovo. Retrieved April 23, 2016, from https://www.cia.gov/library/publications/the-world-factbook/geos/kv.html
- (2013). International trade. Retrieved April 19, 2016, from http://ec.europa.eu/economy_finance/international/globalisation/international_trade/index_en.htm
- (n.d.). The economy. Retrieved April 19, 2016, from http://europa.eu/about-eu/facts-figures/economy/index_en.htm
- K., S., & L. (2015, June). Results of the Kosovo 2014 Labour Force Survey. Retrieved April 19, 2016, from http://www-wds.worldbank.org/external/default/WDSContentServer/WDSP/IB/2016/03/18/090224b082ff4883/1_0/Rendered/PDF/Results0of0he0labour0force0survey0.pdf
- Murphy, Jessica. “Trudeau Gives Canada First Cabinet with Equal Number of Men and Women.” The Guardian. Guardian News and Media, 2015. Web. 25 Apr. 2016.
- (2008, May). Making Trade Work for Developing Countries. Retrieved April 23, 2016, from http://www.oecd.org/trade/40672245.pdf
- (n.d.). Customs. Retrieved April 19,2016, from https://www.rks-gov.net/en-US/Bizneset/FinancatTaksatDoganat/Pages/Doganat.aspx
- (n.d.). Kosovo. Retrieved April 23, 2016, from http://data.worldbank.org/country/kosovo. Data may be updated over time.
- (2016, April 21). The World Bank Group in Kosovo: Country Snapshot. Retrieved April, 2015, from http://www.worldbank.org/content/dam/Worldbank/document/eca/Kosovo-Snapshot.pdf