Armend Kelmendi

Shkruan Armend Kelmendi, këshillues i së drejtës sportive dhe ndërmjetës në futboll [Partner Menaxhues, AK Sports Consulting & Partners L.L.C. dhe AY Sports Management AG].    Situata aktuale dhe pasojat e mundshme të pandemisë për industrinë e futbollit si: mospërmbushja e obligimeve kontraktuale ndaj lojtarëve, sponzorëve dhe kontraktuesëve; nevoja për rishqyrtim të rregulloreve në fuqi të FIFA-s, sidomos atyre për statusin dhe transferimin e lojtarëve, si dhe ndryshimin e afateve kalimtare; nevoja e krijimit të një fondi për ndihmë të klubeve si pasojë e dëmeve ekonomike të shkaktuara, nevojës për kompenzim të biletave të blera dhe ristrukturimit kohor të abonimeve sezonale; si dhe sugjerimi për zbatim të këshillave për mbajtjen e higjienës tek lojtarët e futbollit duke ndjekur praktikat zvicerane.

Tashmë pothuajse i gjithë globi po përjeton përhapjen e shpejtë të koronavirusit apo Covid-19, një pandemie me përmasa historike, që po ndikon në secilën sferë të jetës. Pashmangshëm, kjo pandemi ka shkaktuar probleme të ndërlikuara edhe në sportin më të popullarizuar në botë – futbollin. Përderisa qeveritë dhe institucionet shëndetësore po ndërmarrin masa për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, koshient e të gatshëm për të vepruar komform rekomandimeve e vendimeve të ndërmarra nga institucionet përkatëse kombëtare e ndërkombëtare janë treguar edhe drejtuesit dhe vendimmarrësit kyç të industrisë së futbollit. Këtu bëhet fjalë për rolin e qeverive kryesore që udhëheqin me futbollin: FIFA, përkatësisht UEFA, federatat anëtare nga e mbarë bota, pa harruar të përmendim edhe rolin tejet të rëndësishëm dhe aktivitetin e FIFPro, si federatë kryesore dhe e vetme që përfaqëson shoqatat e lojtarëve profesionistë në mbarë globin, si dhe menaxhmentet e klubeve futbollistike profesionale, investitorëve, dhe grupeve tjera legjitime të interesit në futboll.

Si kundërpërgjigje ndaj situatës së krijuar me përhapjen e virusit, institucionet e lartpërmendura, mes tjerash, kanë marrë vendim të përditësojnë kalendarin e garave që ato udhëheqin. Simpatizuesit e futbollit tashmë janë të informuar se kampionati Evropian i njohur si “EURO” është shtyer për verën 2021. Poashtu, finalet e UEFA Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës janë shtyer për muajin qershor, ndërkaq “COPA America” për vitin 2021. Vendimi për shtyerje do të aplikohet edhe në rastin e kampionateve tjera, përsfshi atij evropian nën – 21, kampionatit evropian për femra, dhe poashtu disa mini garave të grupmoshave të reja që organizohen në patronatin e UEFA. Për më tepër, dhe çka është e rëndësisë jetike, institucionet vendimmarrëse të industrisë së futbollit kanë themeluar grupe punuese për monitorimin e zhvillimit të situatës.

Në rrethanat e tanishme, dhe pa paragjykuar një vendim tjetër që do të ndryshonte vendimet në fuqi, skenari më i dobishëm është ai i cili siguron shëndetin e lojtarëve dhe garanton përmbushjen e pjesës së mbetur të kontratave nga ekipet futbollistike.  Për më tepër, fillimi i kampionateve në raste të caktuara do të duhej të bëhej vetëm me vendim të institucioneve në shtetet, përkatësisht në kampionatet ku klubet garojnë. Sidomos tani që UEFA dhe CONMEBOL kanë vendosur të shtyejnë “EURO 2020” dhe “Copa America”, e që automatikisht redukton presionin e përmbushjes së afateve kohore paraprake. Thënë ndryshe, data e vazhdimësisë së kampionateve duhet të përcaktohet në baza individuale apo varësisht nga situate specifike, duke pasë parasysh se janë pak shtete në të cilat gjendja e shëndetit publik kundrejt situatës pandemike mbizotëron njëlloj.

Ajo që dihet tashmë është se virusi ka prekur me qindra lojtarë në ekipet e futbollit në mbarë botën (Premier liga angleze, Serie A italiane, La Liga spanjolle, Bundesliga gjermane etj.). Megjithatë, është e mundur që të realizohet objektivi për të përfunduar sezonin e rregullt para fillimit të afatit veror për lëvizje të lojtarëve apo “merkatos verore”. Kësisoji sigurohet kohë për një pushim sado modest për lojtarët dhe në përgjithësi të punësuarit në klube dhe institucionet qeverisëse të futbollit. Një gjë e tillë poashtu do të mundësonte përgatitjen e fillimit të sezonit të ri.

Mirëpo, edhe në këtë skenar ideal të cilin shpresojnë ta jetësojnë klubet e futbollit, duhet pasur parasysh disa parakushte të cilat duhet përmbushur. Këto parakushte, të cilat normalisht dhe pakrahasimisht janë tretësore kundrejt parakushtit primar, që është mbrojtja e shëndetit publik dhe shëndetit të lojtarëve, përfshijnë:

–          Mbajtja e stabilitetit kontraktual në mes palëve kontraktuese (realizimi i obligimeve financiare)

Sugjerohet që koha e “pushimit” aktual të shfrytëzohet nga palët e ndikuara prej krizës. Me ndihmën e video komunikimit, klubet që kanë vështirësi të mbulojnë dëmet financiare të shkaktuara deri në këtë kohë, duhet të diskutojnë për rrogat e tanishme. Rrogat mund të ulen, siç pritet të ndodhë edhe në ekipet e ligave më prestigjioze si Serie A, La Liga, apo Ligue 1, apo edhe të vonohen së paguari. E në rastin më të keq, punëdhënësit ose sponzorët mund të mos jenë në gjendje t’i përmbushin detyrimet e tyre financiare. Rasti më i freskët është Norvegjia, shumë klube të së cilës ligë futbollistike kanë “pushuar” përkohësisht lojtarët e tyre. Këta lojtarë nuk janë përjashtuar nga klubi, por që institucionet e vendit do t’i përkrahin në të ardhurat e tyre aktuale deri në 20 ditë, si masë emergjente për ta evituar falimentimin. Nuk është e qartë se si do veprohet tutje, por është e qartë se këtu e pësojnë sidomos të rinjtë dhe jo vendorët me kontratë profesionale.

–           Përmbushja e detyrimeve ndaj sponzorëve dhe stafit, përmbushja e obligimeve për të drejtat e transmetimit televiziv, si dhe përmbushja e detyrimeve tjera ndaj individëve dhe grupeve për bileta dhe abonime vjetore.           

Klubet kanë obligime ndaj stafit dhe sponzorëve. Këto obligime duhet të përmbushen sipas marrëveshjes kontraktuale, sikundër obligimeve kontraktuale që kanë qeveritë e futbollit apo federatat ndaj transmetuesve televiziv të ndeshjeve. Nxitimi i përfundimit të kampionateve, për të evituar dënimet eventuale nga “dështimi” për të përmbushur këto obligime, mund të rezultojë si i rrezikshëm. Meqë shëndeti është parësor, vendimet eventuale që shtyejnë federatat drejt vazhdimit të kampionateve duhet të bëhen pa këtë trysni.

Kompenzime tjera që federatat dhe klubet duhet të bëjnë janë ndaj secilit dhe të gjithë atyre që kanë blerë një biletë për ndeshje të cilat janë pezulluar si shkak i pandemisë. Ky aspekt është i trajtueshëm dhe klubet munden lehtë ta sanojnë këtë problem.  Gjithsesi, FIFA, UEFA dhe disa federata të fuqishme të futbollit evropian si Premier League, janë duke punuar vazhdueshëm që të arrijnë marrëveshe mes të gjitha palëve të interesit.

–           Shterrimi i mundësive negociuese për mbajtjen e organikut ekipor më të mirë në dispozicion, në tentativë për të bindur lojtarët me kontrata në skadim e sipër të qëndrojnë, dhe përmes FIFA-s të ofrohet zgjidhje alternative për afatin kalimtar dhe lojtarët e huazar.

Për të llogaritur në lojtarët të cilëve u skadon kontrata në fund të qershorit, klubet duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për negocim të vazhdimit të kontratës për periudhën shtesë nga ajo çfarë parashihet në marrëveshjen aktuale. Padyshim se me probleme të njëjta klubet do të përballen në rastet kur në mesin e tyre kanë lojtarë të huazuar, dhe afati i huazimit skadon para se të filloj afati kalimtar zyrtar veror.

Pozicionimi i lojtarit apo/dhe ndërmjetësit?                         

Prej pikëpamjes juridiko sportive, është e qartë se lojtarët me kontratë në skadim e sipër, nuk kanë obligime ndaj klubeve të tyre pas datës 30 qershor. Përkundër aftësisë kreative të një klubi për të tentuar qëndrimin e lojtarit deri në datën kur përfundon pjesa e mbetur e kampionatit, mbetet totalisht në diskrecion të lojtarit të vendos nëse “solidarizohet” me klubin për shkak të rrethanave të njohura.  

Në raste të caktuara, lojtarë profesionistë mund të mos ngurrojnë të tregojnë “besnikëri” ndaj klubeve të tyre edhe përtej datës së skadimit të kontratës. Të tjerët, megjithatë, mund të kenë arsye legjitime dhe mos ta bëjnë një gjë të tillë për shkak të pasojave që mund të mbartë një vendim i tillë. Disa nga arsyet që mund ta shtyejnë një lojtar të mos luaj pas skadimit të kontratës janë frika nga pësimi i ndonjë lëndimi, në kohën kur të ketë filluar afati kalimtar; parakontratat e nënshkruara me klubin e ri; dhe, jo më pak e rëndësishme për lojtarin apo/dhe ndërmjetësin, kompenzimi financiar që nuk përmbush kërkesat e tyre. Janë pikërisht profilet e njohura të futbollit të cilët nuk do jenë aspak lehtë të binden në situata të tilla, marrë parasysh se klubet tjera do të mund t’i joshin financiarisht dhe të sigurojnë shërbimet e tyre në mundësinë e parë. Mundësia e “peshkimit” të lojtarëve shfaqet pikërisht në ekipet e Premier ligës angleze, me mesatare prej pesë (5) lojtarëve të lirë për ekip.

Edhepse varet nga cilësa dhe niveli i zhvillimit profesional të lojtarit që përfaqëson, për një menaxher është vështirë e arsyetueshme të rrezikohet lojtari dhe të vazhdojë të luaj për klubin e tij pas skadimit të kontratës. Kjo për shkak që detyra e menaxherit ësthë pikërisht që të evitohen rreziqet e listuara në paragrafin paraprak.

Përfundimisht, mbetet për tu parë se si do të evoluoj situata me pandeminë dhe sa shpejtë dhe suksesshëm do të mund t’ia dalim në aspekt të rikuperimit të përgjithshëm. Gjithsesi, në kontekst të futbollit të Kosovës, klubet tona të futbollit, lojtarët dhe grupet tjera të interesit këshillohen të konsiderojnë zbatimin e masave në vijim:

  • Komunikim në mes klubit dhe lojtarit apo grupit të lojtarëve, me qëllim të mbajtjes së stabilitetit kontraktual.
  • Komunikim direkt në mes lojtarit dhe klubit, dhe kurrsesi përmes rrjeteve sociale sikur po ndodhë së fundmi në liga si ajo e Turqisë, nëse qasja dhe synimi janë profesionale për menaxhimin e përbashkët të situatës në të mirë të të dyja palëve. Tentimi për shkëputje të kontratës përmes deklaratave në komunikim jozyrtar mund të konsiderohen si “gafe” të qëllimta, dhe vënë punëdhënësin në situatë jo të këndshme, sidomos në situatën e tanishme.
  • Të ndiqen dhe zbatohen me saktësi vendimet nga institucionet shtetërore, dhe FIFA & UEFA përmes federatës së futbollit të Kosovës (FFK).
  • Ligat e futbollit, klubet dhe lojtarët këshillohen të ndjekin modelin zviceran të përpiluar dhe sugjeruar nga SAFP për përkujdesjen e higjenës personale, vegëz elektronike/referencë e FIFPro (AN: https://fifpro.org/en/health/coronavirus-hygiene-advice-to-players).
  • Federata e futbollit të negociojë ngushtë me klubet dhe shoqatën e futbollistëve masat që mendon t’i ndërmerr në tentim të zbutjes së situatës së shkaktuar, e që de facto prek klubet dhe lojtarët. Shteti poashtu mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë proces.

Bota e sportit po neutralizon panikun tek sportdashësit dhe atletët përmes masave parandaluese si pezullimin dhe shtyerje e datave të zhvillimit të aktiviteteve sportive. Janë shtyer kampionate ndërkombëtare e kombëtare të futbollit. Janë shtyer edhe NBA, Formula1 dhe kampionate të sporteve tjera, e deri tek Lojërat Olimpike, edhepse për këtë të fundit shpresohet se nuk do shtyhet përtej muajit korrik.

Për më tepër, dhe meqë fokus analize kemi futbollin, lidershipi i treguar nga FIFA përmes thirrjeve për unitet e përgjegjësi të përbashkët shton siguri në gjithë industrinë, sidomos nëse këto thirrje së shpejti plotësohen me lansimin e programeve të asistencës financiare, ndërhyrjen e nevojshme në rregullativën përkatëse, si dhe këshillimin e vazhdueshëm në temat më me interes për grupet e interesit. Ka aq shumë nevojë për bashkërendim të institucioneve e aktiviteteve, sa nuk mjaftojnë katër (4) ditë për të listuar, analizuar e rekomanduar, lëre më të shpaloset problematika në fjalë në një shkrim prej katër faqesh. Ndërkohë, futbolli nuk ndalet. Jetojmë me të gjatë gjithë kohës, dhe e kemi afër e në mendje, sy  apo këmbë në secilin moment, përmes topit të futbollit në oborrin e shtëpisë apo ballkonin e apartmanit, në programet sportive televizive,  tabletave dhe celularëve të mençur, internetit, dhe lojës elektronike, e pa harruar kurrsesi librat, revistat dhe shkrimet për futbollin. Deri në leximet tuaja të radhës ..!